Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjendja shëndetësore e pacientit të dyshuar për linë e majmunëve është drejt përmirësimit

Gjendja e pacientit të dyshuar me linë e majmunëve i cili është shtruar në një repart të veçantë të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është stabile dhe drejt përmirësimit.

Kështu ka thënë drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj.

Sipas tij, gjendja e pacientit të dyshuar për linë e majmunëve është duke shkuar drejt përmirësimit.

“Gjendja e pacientit është stabile. Ka përmirësime”, ka thënë Vishaj.

Ai po ashtu theksoi se janë duke pritur rezultatet e mostrave të dërguara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Jemi duke pritur rezultatet, të cilat me kohë do t’i publikojë IKSHPK”, tha ndër të tjera Vishaj për Telegrafin.

Ndërkohë, mostra e rastit të parë të dyshuar për linë e majmunëve në Kosovë është dërguar të martën  për testim (analiza laboratorike) në laboratorin e OBSH-së, në Holandë.

Zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Era Pireva në një prononcim për Telegrafin një ditë më parë kishte thënë se mostra planifikohet të dërgohet të martën me ndihmën e OBSH-së për në laboratorin referent për patogjen me rrezik të lartë.

“Mostrat nga pacienti i dyshuar me MNKPOX është planifikuar të nisen sot me ndihmën e OBSH-së për në laboratorin referent të OBSH-së për patogjen me rrezik të lartë në Holandë. Nuk kemi ende informata se kur pritet të pranojmë rezultatet pasi që të arrijnë mostrat në Holandë”, pati thënë Pireva.

Ndryshe, ditë më parë është raportuar për një rast të dyshimtë me linë e majmunëve në Kosovë nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas ministrisë, pos të dyshuarit, do të mbikëqyreshin edhe rastet e kontaktit të tij.

“Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, më datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë me Lijën e majmunëve (Monkeypox). Pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.

Është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK më datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, kishte bërë të ditur MSH.

“Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Holandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. /Telegrafi