Vërshimet në Malishevë

Gjendja nga vërshimet në Malishevë, flet drejtori komunal

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, disa komuna sot në Kosovë po përballen me vërshime të mëdha.

Komuna e Malishevës është një nga komunat më të prekura nga përmbytjet.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, Shqipron Shala ka thënë se pas orës 12:00 të ditës, për shkak të reshjeve të shiut gjendja ka filluar të keqësohet.

Në një prononcim për KALLXO.com, Shala bëri të ditur se të gjitha ekipet e intervenimeve janë në terren dhe se Policia ka dalë në vendet ku kalueshmëria e veturave haset në vështirësi.

“Gjendja pas orës 12:00 të ditës, për shkak të reshjeve të shiut ka fillu të keqësohet, të gjitha ekipet e intervenime janë në teren, gjithashtu Policia ka dalë në vendet ku kalueshmëria e veturave haset në vështirësi”- ka deklaruar Shala për KALLXO.com.

Ai thotë se deri më tani vetëm një rrugë është ndaluar për të kaluar veturat e që është rruga që të shpie në fshatin Gurbardh, ku sipas tij lumi “Mirusha” ka kaluar mbi urë.

“Deri tani vetëm një rrugë është e ndaluar për të kaluar veturat, rruga që shpie për në fshatin Gurbardh, konkretisht lumi Mirusha ka kaluar mbi urë”- konfimron Shala.

Drejtori tha se deri më tani nuk kanë pasur thirrje nga ndonjë familje për evakuim.

“Deri tani nuk kemi pasur thirrje nga ndonjë familje për evakuim. Si pasojë e erërave te forta gjatë natës së mbrëmshme ka pasur dëme të konsiderueshme të kulmeve”- ka përfunduar Shala për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka raportuar për vërshime në komuna si Skenderaj, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Pejë e Deçan.