Gjendja në shëndetësi, Kuvendi sot mblidhet në seancë të jashtëzakonshme

Në Kuvendin e Kosovës, më 29.02.2024 në ora 10:00 pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme për gjendjen në sistemin shëndetësor.

Në rend të ditës është shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

Këtë propozim e ka bërë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Më 29.01.2024, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj në një konferencë për media tregoi se kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për shëndetësinë dhe sigurimet shëndetësore.

“Është gjendje e mjerueshme në shëndetësi. Vazhdojnë të jenë problemet e njëjta në shëndetësi, me listën e barnave esenciale në SHSKUK, infrastrukturën në shëndetësi si dhe ikja e personelit shëndetësor jashtë vendit. Në shëndetësi ka mangësi ligjore, qeverisja edhe pse ka shumicën parlamentare po vazhdon të prolongojë ligjet bazike në shëndetësi, arsim e shoqëri dhe vazhdohet puna pa strategji në shëndetësi. Qe katër vite po punojmë pa strategji e me veprime ad hoc”- deklaroi Dreshaj.

Një 4-vjeçare, pjesëtare e një nga komuniteteve etnikisht të margjinalizuara në Kosovë, ka vdekur më 19.02.2024 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e cila ishte transferuar nga Spitali i Gjakovës. Ndërkaq, trajtimin fillestar e kishte marrë në Qendër të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.

Vdekja e 4-vjeçares është duke u hetuar nga Policia dhe Prokuroria. Rasti është iniciuar si hetim i vdekjes, ndërkaq trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Inspektorati Shëndetësor ka thënë se ka bërë inspektim në Spitalin e Gjakovës lidhur me këtë rast.

Lidhur me këtë rast, kanë reaguar edhe Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) dhe shoqëria civile, të cilët janë shprehur të shqetësuar për trajtimin shëndetësor që i është ofruar viktimës dhe kanë kërkuar hetimin e rastit.

PRAK ka ngritur dyshime mbi menaxhimin e rastit nga institucionet shëndetësore, brenda të cilit thotë se mund të gjenden vepra penale, shkelje etike e profesionale dhe trajtim johuman.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se ka nisur hetime për këtë rast dhe se do ta monitorojë nga afër nё mënyrë qё tё “sigurojë se tё gjitha institucionet përgjegjëse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”.

Lidhur me vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, më 26.02.2024 kanë raportuar para Komisionit parlamentar për shëndetësinë dhe para Komisionit për të drejtat e njeriut.