Tualetet e shkollës “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës së Jugut, Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com | 29.10.2024
Gjendja e shkollës në Zhabar të Mitrovicës - Komuna ndan 30 mijë euro, por s’përfshin tualetet
Në gjendje të rëndë infrastrukturore ndodhet shkolla fillore e mesme e ulët “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës së Jugut.
Disa investime që pritet të bëhen në shkollë nuk përfshijnë tualetet që shfrytëzohen nga nxënësit, e të cilat janë tejet të dëmtuara.
KALLXO.com ka vizituar hapësirat e kësaj shkolle më 29.10.2024.
Çatia shkollës pikon sa herë që ka reshje atmosferike, kurse për shkak të kanalizimit dhe dëmtimeve tualetet kundërmojnë.
Arta Sadiku nga Këshilli i Prindërve, për KALLXO.com tha se kushtet në këtë shkollë janë të rënda.
“Jo vetëm kundërmimi i erës së tualeteve është problem, por këtu edhe dritaret lëkunden, nuk e di se si nxënësit po guxojnë të mbajnë mësim. Çdo herë si prind, pikë kryesore kanë qenë banjot që të rregullohen, kanë një erë katastrofale, nuk e di se si fëmijët nuk po marrin ndonjë infeksion”- tha Sadiku.
Në anën tjetër, drejtoresha kësaj shkolle, Saranda Ademi, në një prononcim për KALLXO.com tha se kjo shkollë deri në vitin 2008 ka ndarë të njëjtin objekt me shkollën “Fazli Grajqevci” në Shipol.
“Kjo shkollë kur është pavarësuar nga shkolla e Shipolit në vitin 2008, prej fillimit ka pasur probleme teknike, duke filluar nga banjot, klasat, dritaret, inventarët”- ka thënë Ademi.
Ajo ka folur edhe për gjendjen në tualetet e shkollës.
“Në banjo nuk guxojmë me lanë ujin lëshuar sepse bllokohen kanalizimet, kur është bërë ndërtimi i kësaj shkolle gypat i kanë lanë qishtu, e vërtet që janë në gjendje të rëndë”- tha ajo.
“Kemi pas takim përsëri edhe me Drejtorinë e Arsimit, kryetarin e Këshillit të Prindërve dhe kryetarin e Këshillit drejtues, ku Drejtoria e Arsimit është zotuar që në muajin tetor kanë me filluar me rregullimin e këtyre problemeve, tash jemi në pritje që me fillu meremetimi i banjove, rregullimi i derës së hyrjes që e patë që lëvizë prej erërave të forta edhe disa meremtimet të tjera brenda objektit të shkollës “-ka përfunduar Ademi.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë. Nga DKA-ja thanë se në procesin e kontratës për punimet në shkollë nuk janë të përfshira tualetet.
“Procedura e Prokurimit për investimin në SHFMU ‘Shaban Idrizi’ në shumën prej 30.000 është në përfundim të prokurorit dhe nënshkrimit të kontratës, mirëpo tualetet nuk janë të përfshira në këtë investim”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Sipas tyre, shkollë do të rinovohet në tërësi në vitet pasuese.
“Kjo shkollë do të renovohet në tërësi në vitet pasues sepse kemi planifikuar që të aplikojmë në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ku jemi në pritje të shpalljes së ardhshme publike”- thuhen në përgjigjet e komunës.
Sipas tyre, në të kundërtën më 2025 do të planifikohet projekt konkret për investime në banjot dhe nyjet sanitare të kësaj shkolle.
KALLXO.com ka raportuar më 07.11.2023 për gjendjen e kësaj shkolle, se erërat e forta kishin dëmtuar kulmin, dyert dhe dritaret e objektit.