Foto: MI

Gjendja e rrugëve pas reshjeve të borës në ditën e pranverës (VIDEO)

Java e parë e stinës së pranverës do të jetë me borë dhe temperatura të ulëta. Kështu ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sipas IHK-së, bora e cila po bie do të vazhdojë edhe në pjesën e parë të javës së ardhshme por intensiteti do të dobësohet nga e marta.

Bora e cila ka rënë gjatë ditës së sotme ka vështirësuar edhe qarkullimin nëpër rrugët e Kosovës.

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se të gjitha rrugët në menaxhim të kësaj Ministrie janë të hapura për qarkullim, përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës.

Por qytetarët kanë dërguar pamje të rrugëve në redaksinë e KALLXO.com.

Më poshtë gjeni pamje të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se nuk është përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugëve lokale, tek të cilat mund të intervenohet vetëm pas kërkesës së komunave.

Një qytetar i rajonit të Gjilanit ka dërguar një video të gjendjes së rrugës Gjilan-Prishtinë, saktësisht të rrugës në fshatin Llabjan.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka theksuar se temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme do të lëvizin ndërmjet -4 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-11 gradë Celsius si dhe do të fryjë erë nga veriperëndimi dhe jugperëndimi me shpejtësi 1-9m/s.

“Sa i përket situatës biometeorologjike ajo mbetet e pafavorshme për personat me sëmundje kronike, ndërsa cilësia e ajrit paraqitet relativisht e mirë për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm të këtyre elementeve meteorologjike”, thuhet në njoftimin e tyre.