Foto: Arban Abrashi/ Facebook

Gjendja e rrugëve në Kosovë sipas Ministrisë së Infrastrukturës

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar për gjendjen e rrugëve kryesore nëpër Kosovë pas reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta.

Për shkak reshjeve të borës nga ora 15:00 deri në ora 22:00 në autostradën në Han të Elezit dhe temperaturave nën zero (-3) është intervenuar me kripë dhe pastrim bore mbrëmë, ndërsa sot temperatura ishte nën zero (-5) është intervenuar me kripë për parandalim të krijimit të ngricave në shtresat qarkulluese.

Sipas Ministrisë, në rajonin e “Gjilani 1” gjendja e rrugëve është e mirë, është intervenuar në gjitha drejtimet në hedhjen e kripës për shkak të ngricave dhe është pastruar bora.

Ndërsa në rajonin e “Gjakova 1” gjatë ditës së kaluar ka pas intervenime në të gjitha akset rrugore për shkak të reshjeve të borës. Po ashtu është intervenuar me kripë në të gjitha akset.

“Po ashtu në këtë rajon gjatë ditës kemi hap kanale në vendet ku ka pasur nevojë për largimin e ujit. Të gjitha rrugët janë të hapura dhe pa ngrica”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Më tej në njoftimin e Ministrisë thuhet se auto-udhët: R7, N9, R6, si dhe auto-udha Konjuh-Doganaj dhe “Gjakova 2” janë krejtësisht të lira për qarkullim.

Për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe temperaturave të ulëta në rajonin e Prizrenit 2 ka ngrica dhe është intervenuar në pastrimin e borës dhe shpërndarjen e kripës në rrugët: M25 Prizren -Morinë, R115 Prizren – Prevallë , R113 Zhur -Dragash- Restelicë, R114 Dragash – Brod.

Ndërsa bora është pastruar në rrugët; Prizren -Prevallë, Dragash – Brod dhe Dragash – Restelicë.

“Rrugët janë të hapura por, qarkullimi duhet të bëhet me kujdes të shtuar sepse ka akull dhe ngrica në rrugë”, vazhdon njoftimi.

Në regjionin “Peja 1” ku ka temperatura të ulëta dhe ngrica, është bërë shpërndarja e kripës në të gjitha rrugët.

“Të gjitha rrugët janë të kalueshme”, thuhet në njoftim.

Për shkak të reshjeve të borës nga ora 14:00 deri në orën 18:30 dhe temperaturave nën zero (-3) u intervenua me kripë e rërë si dhe pastrim të borës në orët e mbrëmjes dhe në orët e mëngjesit.

Ministria e Infrastrukturës lut të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë ngasjes dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës.