Gjendja e rrugës ‘Ali Zeneli’ në Mitrovicë të Jugut

Kanalizimi në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicës të Jugut, tash e një muaj po paraqet problem për banorët e kësaj ane.

KALLXO.com ka raportuar më 12.09.2024 për gjendjen e rrugës “Ali Zeneli” në Mitrovicën e Jugut.

Qytetari Mensur Ademi, thotë se gjendja e rrugës “Ali Zeneli” është në këtë gjendje tash e dy vite.

“Kur e kanë filluar këtu me ndërtu, kemi mendu që e rregullojnë edhe këtë rrugë, po gjysmë ka mbetur”- tha Ademi.

Ai thotë se telashet në këtë rrugë rezulton edhe me kundërmimin. E kur ka reshje atmosferike, më keq e përjetojnë qytetarët.

“Ka me muaj që i lajnë mjetet e punës qetu, traktorin, bagerat e kurrkush nuk punon sen, e rruga u mbet krejt gjysë-gjysë”- shtoi Ademi.

Lutfi Rashica, një tjetër qytetar shprehet i shqetësuar për gjendjen e rrugës.

“Çka me ju thanë, veç keq me fol, na këtë problem e kem që shumë kohë”-potencoi Rashica.

Ecja në këtë pjesë për të është e vështirë.

“Këndej me ec është hajmedet, edhe era vjen katastrofë, unë sot erdha knej, se zakonisht kalojë ka një rrugë tjetër, edhe në atë pjesë i kanë prish trotuaret e qashtu i kanë lënë” – tha Rashica.

“Me shku në komunë, a e din çka thonë?! A nuk po e sheh që t’u punu janë?! Qe, bash qeshtu na thonë” – thotë ai.

Emin Sahiti, një tjetër qytetar, e quan për marrë gjendjen e kësaj rruge.

“Veç shikoje, këtu nëse bie shi, veç me çizme mundesh me kalu, ndryshe nuk ke qysh” – thotë Sahiti.

Shefi i mirëmbajtjes në KRU ‘Mitrovica’, Mujë Istrefi, në një prononcim për KALLXO.com tha se kanalizimi në këtë zonë nuk është kompetencë e tyre.

“Ky problem nuk është i joni, është i Kuvendit Komunal, sepse aty ku është bllokuar, është në kanalizimin e ujërave atmosferike”- tha Istrefi.

I pyetur nëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, për ta sanuar problemin.

“Jemi dalë shumë herë aty, jemi mundu me autocisterna me sajlle, po nuk kemi pasë sukses”- tha Mujë Istrefi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Komunën e Mitrovicës, por deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk kanë kthyer përgjigje.