Gjendja e rënduar e rrugëve në Lagjen e Spitalit, Komuna thotë se është përgjegjësi e ujësjellësit

KALLXO.com ka raportuar para disa ditësh në lidhje me gjendjen e rënduar të rrugëve në Lagjen e Spitalit.

Një qytetar kishte dërguar pamje ku shihej uji duke rrjedhur në rrugën “Kadri Bajri” në kryeqytet.

Komuna e Prishtinës në lidhje me këtë çështje ka thënë se Drejtoria e Shërbimeve Publike ka raportuar dhe kanë kërkuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” për intervenim.

“Në Lagjen e Spitalit kemi pasur rrjedhje të ujit në disa rrugë siç është rruga “Holgen Petersen” dhe “Kadri Bajri” të cilat i kemi raportuar dhe kemi kërkuar nga KRU Prishtina për intervenim, për shkak se kemi pasur shumë problem gjatë kohës me temperatura të ulëta, nga se rrugët mbusheshin me akull”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas tyre, rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit është aset i KRU “Prishtina” dhe përgjegjësia për mirëmbajtje është e tyre.

Ndërsa nga Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave (DIMK) thonë se rruga “Kadri Bajri” nuk është planifikuar të ndërtohet me buxhetin e vitit 2022.

“Në lokacionin ku gjendet kjo rrugë ka ende ndërtime të larta të cilat e pamundësojnë ndërtimin e kësaj rruge”, thuhet më tutje.

DIKMK tha se do të intervenojë me kontrata të mirëmbajtjes deri sa të krijohen kushtet për realizimin e projektit detal për ndërtimin e kësaj rruge sipas planit rregullues.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me KRU “Prishtina”.

Sipas kompanisë për gjendjen e rrugës dhe rrjedhjen e ujit nuk janë lajmëruar nga askush.

“Ne nuk jemi të lajmëruar dhe as njoftuar për një rast të tillë në rrugën “ Kadri Bajri ” në lagjen e Spitalit, as nga qytetarë dhe as nga ndonjë institucion”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ujësjellësi njoftoi se do të dërgojnë një ekip teknik për verifikimin e gjendjes.

“Nëse është problem i yni, pas verifikimit të gjendjes, normalisht që ekipet teknike, si çdoherë  do të intervenojnë për sanimin e gjendjes”, thuhet në përgjigje.

Gjendja e rënduar e rrugëve në Lagjen e Spitalit (VIDEO)