Gjendja e rëndë e shkallëve te Posta, Komuna e Prishtinës po planifikon kontratë të re

Gjendja e disa palë shkallëve, të cilat ndodhen te ndërtesa e Postës dhe Telekomit, në lagjen “Dardania”, në kryeqytet, po vazhdon të jetë e mjerueshme.

Nëpër shkallët e dëmtuara e të thyera qytetarët kalojnë që disa vite.

Në këto shkallë nuk është bërë asnjë investim për përmirësimin e gjendjes së tyre ndonëse nuk kanë munguar në opinion reagimet dhe ankesat.

Nga qeverisja e re në Prishtinë thonë se me projektin “Mobileria Urbane” presin t’i trajtojnë edhe këto shkallë.

Sipas drejtorit Ilirik Musliu me kontratat aktuale nuk ofrohet kualiteti i intervenimeve që synohet.

“Me nënshkrimin e kontratës se re do të bëjmë trajtimin e shkallëve te “Posta e Madhe”, pasi qe kontrata aktuale nuk ka një pozicion brenda saj qe ofron kualitetin çfarë ne po kërkojmë, mirëpo edhe është i domosdoshëm ky kualitet për intervenimin në ato shkallë”, ka deklaruar Ilirik Musliu, drejtor i Shërbimeve Publike në një përgjigje për KALLXO.com.

Shkallet te Posta e Madhe
Shkallet te Posta e Madhe
Shkallet te Posta e Madhe

Kujtojmë se komuna e Prishtina para 2 vitesh ka rinovuar platon e Pallatit të Kurrizit që përfshinte pjesën deri afër shkallëve, por në projekt nuk përfshihej edhe rregullimi i kësaj pjese.

Aktualisht këto shkallë ndajnë pjesën e lokacionit ku po kryhen punimet për Xhaminë e Madhe, derisa nuk dihet nëse komuna ka në plan të bëjë diçka për gjendjen e rëndë në këto shkallë të cilat frekuentohen shumë nga banorë, punëtorë të shumtë të zonës, por edhe qytetarë tjerë nga vende të ndryshme.

Për gjendjen e këtyre shkallëve, kryetari në largim, Shpend Ahmeti më herët ka deklaruar se, pasi është Xhamia në rregullim, nuk mund të bëhen investime që do e shkatërronin prapë gjendjen e tyre.