Ndërtesa e parlamentit në Beograd. Foto: Asambleja Kombëtare e Republikës së Serbisë.

Gjendja e jashtëzakonshme, Serbia pezullon zgjedhjet parlamentare

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme shkaku i pandemisë Coronavirus, ka pezulluar zgjedhjet parlamentarë në Serbi të parapara për datën 26 Prill.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot ka marrë vendim për të pezulluar të gjitha aktivitetet zgjedhore që ndërlidhen me zgjedhjet e datës 26 Prill, dhe fushata zgjedhore do të vazhdojë nga dita kur do të ndërpritet gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga Qeveria e Serbisë, raporton Tanjug.rs.

Në Serbi deri më tani janë konfirmuar 57 raste me COVID-19, nga 317 persona të testuar në ditët e fundit të cilët kanë shfaqur simptoma të pandemisë Coronavirus.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka njoftuar se pas shpalljes së gjendjes emergjente të gjitha sportelet e administratës publike do të mbyllen, si në nivel nacional po ashtu edhe në nivel lokal.

Gjithashtu Serbia ka ndaluar eksportin e medikamenteve mjekësore jashtë shtetit për një periudhë prej 30 ditësh.

Ndërsa është kufizuar edhe blerja nëpër barnatore, ashtu që një person mund të blejë vetëm 10 maska 10 palë doreza dhe dy dezinfektues.

Përgatiti- Marcel Lekaj