Gjendet një grua në një ishull kroat, nuk e di emrin e saj

 

Një grua është gjetur në një pjesë të pa banuar të një ishulli kroat, njofton CNN. Gruaja nuk e di as kush është, e as si arriti në atë vend.

Gruaja, e cila mendohet të jetë rreth të 60-ve, mori trajtim mjekësor pasi u gjet më 12 shtator në ishullin ‘Krk’ të Kroacisë, sipas një raporti prej policisë vendase që iu dërgua redaksisë së CNN-it.

Zyrtarët policorë, të cilët kanë publikuar një fotografi të gruas, kanë thënë se ajo ka madhësi mesatare trupore, është rreth 165 centimetra e gjatë, ka flokë të bardhë me gjatësi mesatare dhe sy të kaltër.

“Ajo flet anglisht mirëpo nuk i kujtohet identiteti i saj”, kanë thënë nga Policia. “Ajo për momentin gjendet në spital dhe ka gjendje stabile”.

Njoftimi i Policisë për gruan e gjetur ka marrë disa reagime nga qytetarët mirëpo identiteti i saj ende mbetet një mister.

Gruaja është parë buzë detit nga një burrë në një barkë i cili më pas kishte lëshuar një alarm. Kështu ka njoftuar agjencia vendase e lajmeve “24 Sata”.

Zyrtarët policorë thanë se katërmbëdhjetë pjesëtarë të Shërbimit Shpëtues Malor të Kroacisë shkuan te vendndodhja e saj. Gjysmën e rrugës ata e kishin bërë me automjet ndërsa pjesën tjetër e kanë kaluar në këmbë.

“Poshtë në breg e gjetëm gruan me disa lëndime trupore, ca gërvishtje, e cila ishte gjithashtu shumë e dehidruar dhe e paushqyer. Ajo nuk mundi as të ngrejë dy gëllënka ujë”, u cituan shpëtimtarët nga agjencia “24 Sata”.

“E morëm me barelë, sepse nuk ishte në gjendje të ecte, dhe e dërguam në spital”, tha njëri nga shpëtimtarët.

Ata gjithashtu potencuan se gruaja nuk kishte pasur as dokumente e as telefon me vete, si dhe nuk kishte pasur asnjë automjet në rrethinën ku ajo është gjetur.

Agjencia “24 Sata” ka cituar edhe vendas të rrethinës të cilët kanë treguar se hapësira ku gruaja është gjetur është shkëmbore dhe shumë vështirë e qasshme, qoftë nga deti me lundruese apo nga toka në këmbë.

‘’Krk” është ishulli më i madh kroat në detin Adriatik dhe është një vend i njohur që tërheq shumë vizitorë ta vizitojnë Kroacinë.

Lajmin origjinal mund ta gjeni këtu.

Përkthyer nga Vesa Ferizi – KALLXO