Gjendet në rajonin e Suharekës 29-vjeçari i zhdukur nga Shtërpca

Policia e Ferizajt ka njoftuar sonte se 29-vjeçari nga Bitia e Epërme e Shtërpcës, i cili ishte zhdukur më 12 maj në mëngjes, është gjetur në Suharekë.

Policia kishte kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Goran S. Kociçit.

Në kërkim të tij, përveç Policisë dhe bashkëefshatarëve ishin angazhuar edhe ekipet e Kërkim Shpëtimit të Gardës Kombëtare nga Forca e Sigurisë dhe ekipe civile nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

“Ndërsa, sonte rreth orës 21:00, i njëjti është gjetur në rajonin e Suharekës, i cili fillimisht nga policia është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë dhe sipas mjekëve kujdestarë gjendja e tij shëndetësore është e mirë, nuk ka lëndime” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i rastit nga Prokuroria e Ferizajt.

Personi i gjetur i është dorëzuar familjes.