Gjendet i vdekur një person në Gjilan, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri

Një person dyshohet se është vrarë me armë zjarri në orët e pasdites së sotme 07.11.2024 në Gjilan.

Policia në Gjilan kishte marrë informacionin rreth orës 13:52 se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit”.

Sipas zëdhënësit të policisë, Ismet Hashani, njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes së bashku me një ekip nga emergjenca e Spitalit të Gjilanit të cilët kanë konstatuar se viktima është pa shenja jete.

“Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987 është qëlluar nga arma e zjarrit”- ka thënë Hashani për KALLXO.com.

Në lidhje me këtë rast tashmë është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit ndërsa njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”- ka thënë tutje Hashani.