Gjendet i vdekur një 27-vjeçar në Gjilan

Një mashkull 27-vjeçar është gjetur pa shenje jete, paraditen e sotme në Gjilan.

Policia e Kosovës ka thënë se rasti është njoftuar rreth orës 07:00 të mëngjesit, ndërsa viktima është gjetur në një shtëpi në rrugën ‘Tranzit’.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashanit, mosha e viktimës është 27 vjet, ndërsa ekipet e hetuesve dhe të forenzikës kanë konstatuar se viktima nuk kishte shenja dhune.

“Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për kryerjen e obduksionit dhe hetimet do të zhvillohen nga Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve rajonale në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka bërë të ditur Hashani për KALLXO.com.