
Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com
Gjendet i vdekur 26-vjeçari i cili ishte zhdukur që nga dhjetori
26-vjeçari i raportuar si “i zhdukur” që nga 24.12.2024 është gjetur i vdekur në lumin “Drini i Bardhë”, në afërsi të urës në fshatin Rugovë.
Për KALLXO.com, kjo u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi. Ai tha se trupin e viktimës e kishte vërejtur një qytetar.
“Më 14.01.2025, rreth orës 08:20, Policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pajetë në lumin “Drini i Bardhë”, në afërsi të urës së fshatit Rugovë. Me të marrë këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtarë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dalë në vendngjarje, ku kanë vërejtur një trup të pajetë.” – tha Gashi për KALLXO.com.
Policia e ka identifikuar viktimën përmes dokumentacionit personal, të gjetur në rrobat e tij.
“Pas kontrollimit të viktimës nga njësitet përkatëse, në rrobat e viktimës është gjetur dokumentacion personal, në emër të Arban HISARI, DL. 05.06.1998, si dhe rrobat të cilat i kishte viktima. Ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar “i zhdukur” nga familjarët, andaj besohet se trupi i pajetë është i viktimës së lartcekur.” – shtoi zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi.
Për rastin është informuar edhe Prokurori i Shtetit.
Policia e Kosovës kishte njoftuar se kërkimet për 26-vjeçarin kishin filluar që nga data 25.12.2024.
Më 10.01.2025, FSK-ja njoftoi se ka angazhuar ekipe të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacionin e kërkimshpëtimit malor dhe ujor në kërkim të 26-vjeçarit.
Fillojnë kërkimet në lumin “Drini i Bardhë” për një person të zhdukur