Ilustrim - Foto: KALLXO.com
Gjendet fëmija i cili kishte humbur për më shumë se tre orë në zonën e Artanës
Një fëmijë 7-vjeçar është gjetur pas më shumë se tre orëve kërkimi, pasi kishte humbur në zonën e Artanës (Novobërdës).
Kështu ka njoftuar Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, i cili tregoi se për humbjen e fëmijës janë njoftuar nga familjarët e tij pasditen e së dielës, më 10.11.2024.
Ata kanë bërë të ditur se 7-vjeçari është gjetur nga familjarët dhe Policia e Kosovës, të cilët thonë se e kishin kërkuar për më shumë se 3 orë.
Sipas tyre, 7-vjeçari kishte dalë për të luajtur në malin pranë shtëpisë së tij dhe sipas gjasave kishte humbur orientimin.
“Familjarët, së bashku me Policinë e Kosovës, kishin kërkuar për rreth 3 orë pa sukses, duke i bërë më pas kërkesë Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës për ndihmë shtesë. Ekipi kujdestar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit të Kosovës u nis me shpejtësi dhe arriti në vendngjarje në orën 13:30. Me të mbërritur, ekipi u njoftua se fëmija tashmë ishte gjetur nga familjarët dhe Policia e Kosovës, dhe po kthehej i sigurt në shtëpi. Fëmija ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa lëndime”- thuhet në njoftim.