Ilustrim

Gjendet e mitura, që ishte raportuar e zhdukur para 10 ditëve

Policia në rajonin e Prizrenit ka njoftuar se një vajzë e mitur e cila ishte raportuar e zhdukur, është gjetur pas një bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Malit të Zi.

Sipas njoftimit, e mitura ishte raportuar e zhdukur nga prindërit nga data 22 janar, ndërsa gjatë ditës së djeshme, rreth orës 22:00, nga vendkalimi kufitar “Kulle” është njoftuar se e njëjta është hasur nga policia në Republikën e Mali i Zi.

“E njëjta, nga zyrtaret policor të Hetimeve është pranuar prej autoriteteve policore të Mali i Zi dhe është shoqëruar deri në stacionin policor Prizren–Veri për ndërmarrjen e procedurave të nevojshme. Viktima e mitur ishte larguar nga shtëpia pa paralajmërim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje është bërë e ditur se viktima është dërguar për kontroll mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal Prizren, prej ku është marrë raport mjekësor sipas të cilit viktima është në gjendje të mirë shëndetësore.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, qendra për Pune Sociale si dhe prindërit e viktimës.

“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim dhe konsultim me Prokurorin e Shtetit, Departamenti për të Mitur. Viktima e rastit kthehet në shtëpi dhe tani është në familjen dhe me prindërit e saj”, thuhet në njoftim.