Gjendet 27-vjeçari i zhdukur nga Malisheva

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës të rajonit të Gjakivës, Nysret Xhurkaj, ka njoftuar se është gjetur 27-vjeçari i zhdukur që nga dita e djeshme në fshatn Rud të komunës së Malishevës.

“Njoftoheni se rreth orës 18:00 viktima është gjetur nga familjarët e tij në hyrje të fshatit Rud”, ka thënë Xhurkaj për KALLXO.com.

Më tej ai ka thënë se viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

“Pas kontrollit fillestar është dërguar në QKUK-Prishtinë për ekzaminim më të detajuar”, ka thënë Xhurkaj.

Xhurkaj ka shpjeguar se në momentin e gjetjes viktima ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pasur ndonjë lëndim trupor, por ka qenë i shqetësuar.

KALLXO.com raportoi sot gjatë ditës për zhdukjen e 27-vjeçarit, për të cilin kishte dyshime se ishte kidnapuar.