Ilustrim

Gjenden të vdekur një çift kosovar në banesën e tyre në Francë

Trupat e dy personave, burrë e grua nga Kosova të cilët jetonin në Francë, janë gjetur të vdekur në banesën e tyre në lagjen “Plateau de la Justice” në Epinal të Francës.

Mediat franceze kanë raportuar se çifti ishin prindër të shtatë fëmijëve, ndërsa rezultatet e para të hetimeve janë se të njëjtit kanë shenja të plagëve që janë shkaktuar nga një thikë.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm ndërsa ekipet policore kishin dalë në vendin e ngjarjes.

Sipas Dna.fr, policia brenda banesës së çiftit Kosovar hynë më forcë duke thyer edhe derën.

Tutje siç raporton Dna.fr, dy kosovarët kishin shtatë fëmijë. Tre nga ta ishin në shkollë ndërsa të tjerët brenda në banesë.

Policia ka bërë të ditur se gruaja 44 vjeçare dhe burri 45 vjeçar janë gjetur të shtrirë në tokë pa shenja jete dhe me plagë të shkaktuara nga një thikë.

Dna.fr ka raportuar se gruaja 44 vjeçare ka qenë disa herë viktimë e dhunës në familje.

I njëjti medium ka raportuar se dje rreth orës 8:30 në polici u raportua për një konflikt që kishte ndodhur në apartamentin “Avenue du President Kennedy” që ndodhet në  lagjen “Plateau de la Justice” në Epinal të Francës.

Pas këtij informacioni, policia, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor ishin dërguar në të njëjtën adresë.

Forcat e policisë është dashur që të thyejnë derën ndërsa brenda gjetën edhe trupat e pajetë të çiftit kosovar që jetonin në Francë.