Mbetje skeletore, foto/BBC

Gjenden mbetje të 240 personave nën një ndërtesë të vjetër në Britani të Madhe

Mbetjet e më shumë se 240 njerëzve, përfshirë fëmijë, janë zbuluar nga arkeologët nën një ish-magazinë në Uells të Britanisë së Madhe, raporton BBC

Zbulimi u bë nën ndërtesën e vjetër Ocky White në Haverfordwest, Pembrokeshire.

Arkeologët besojnë se rrënojat janë nga koha e manastirit të Shën Shpëtimtarit, i themeluar nga një urdhër domenikan i murgjëve, rreth vitit 1256.

Ocky White ishte dyqan i njohur për më shumë se një shekull përpara se ambientet e tij buzë lumit të mbylleshin në 2013.

Mbikëqyrësi i vendit Andrew Shobbrook, nga ‘Dyfed Archaeological Trust’, e përshkroi ambientin si një kompleks të rëndësishëm ndërtesash me konvikte, skriptoriume – dhoma të kushtuara shkrimit dhe dorëshkrimeve – stalla dhe një spital.

“Është një vend mjaft prestigjioz për t’u varrosur. Ka një gamë njerëzish, nga të pasurit deri te banorët e përgjithshëm të qytetit,” – tha ai.

Besohet se varreza mund të ishte përdorur deri në fillim të shekullit të 18-të.

Rreth gjysma e mbetjeve janë të fëmijëve, gjë që thuhet se është një reflektim i shkallës së lartë të vdekshmërisë së tyre në atë kohë.

Të gjitha eshtrat do të analizohen nga një specialist përpara se të rivarrosen në një pronë në afërsi.

Disa nga mbetjet janë gjetur me lëndime në kokë, në përputhje me faktin se kanë qenë në betejë, dhe plagët mund të jenë shkaktuar nga shigjetat apo armë tjera të asaj kohe, sipas Shobbrook.

Një teori tjetër është se viktimat mund të datojnë nga një sulm i udhëhequr nga Owain Glyndŵr, i cili ishte personi i fundit vendas nga Uellsi që mbante titullin Princi i Uellsit.

Ky Ishte një sulm i përbashkët nga forcat Uellsiane dhe Franceze, të cilët ishin bashkuar për të luftuar pushtimin anglez të Uellsit.

“Ne e dimë se qyteti u rrethua në vitin 1405 nga Owain Glyndŵr dhe ata mund të jenë viktima të atij konflikti,” tha Shobbrook.

Mbetjet dhe gjetjet e tjera, përfshirë pllakat, po ruhen në një dyqan aty pranë të pashfrytëzuar.