Ilustrim

Gjenden mbetje mortore të dy personave në Rahovec dhe Prizren

Mbetje mortore të dy personave janë gjetur sot në një varrezë të Rahovecit dhe lagjes Tusuz të Prizrenit.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, Selami Hoti, kryetar i Këshillit të fshatit Krushë e Madhe.

Hoti ka bërë të ditur se këtë e ka bërë ekipi i Mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me policinë për Krime të Luftës, që dyshohet se janë varreza të luftës së vitit 1999.

“Sot ekipi i Mjekësisë Ligjore në bashkëpunim me Policinë për Krime të Luftës dhe Prokuroren e rastit, të prirë nga zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, fillimisht në Rahovec gjetën një trup i cili ishte varrosur nga policët serb gjatë ofensivës serbe në fillim të majit 1999 dhe më pas edhe në lagjen Tusuz në Prizren”, ka shkruar ai më tej.

Ai ka shtuar se trupat do të dërgohen në morgun e Mjekësisë ligjore në Prishtinë për ekzaminim dhe më pas iu dorëzohen familjeve për rivarrim.

“Falënderoj Komisionin Qeveritar për Persona të zhdukur, ekipin e Mjekësisë Ligjore, prokuroren e rastit dhe Policinë e Kosovës për kontributin e tyre të vazhdueshëm në gjetjen dhe identifikimin e familjarëve tanë të vrarë në mënyrë qyqare nga Serbia!”, ka shkruar kryetari i fshatit të Krushës së Madhe.

Sipas të dhënave të fundit të Qeverisë, Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-‘99.