Pamje nga gërmimet në kërkim të pagjeturve të luftës. Foto: Facebook/ KQPZh.
Gjenden mbetje mortore në Suhodoll, dyshohet se janë të një viktime të luftës
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se gjatë gërmimeve të realizuara të mërkurën, më 27.11.2024, në Suhodoll të Mitrovicës së Veriut, janë gjetur dhe zhvarrosur eshtra të një viktime që potencialisht mund të jetë në Listën e Personave të Zhdukur.
“Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së. Gërmimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore”- thuhet në njoftim.
Komisioni thotë se “Qeveria mbetet e përkushtuar për të vazhduar angazhimin dhe punën, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”.
Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, 10.794 shqiptarë, 2.119 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.
Çështja e personave të zhdukur ka qenë një ndër çështjet urgjente të aneksit të dakorduar më 18.03.2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën të dyja palët e pranuan në fund të shkurtit, dhe Aneksi për zbatimin e saj nga marsi 2023, është përfshirë në kornizën negociuese të Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve europiane.
Të dy palët pranuan se “çdo mospërmbushje e detyrimeve nga Marrëveshja apo Aneksi, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative”.
Sipas të dhënave të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, 1,595 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, 1998-1999.