Gjenden mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut, dërgohen për ekzaminim mjeko-ligjor
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se është hasur në mbetje mortore në Mitrovicë të Veriut.
Sipas njoftimit, mbetjet janë dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor nëse potencialisht u përkasin personave që janë të listën e të zhdukurve.
“Qytetarët kanë hasur në eshtra (mbetje mortore), në veriun e Kosovës (Mitrovicë). Pas njoftimit nga Policia e Kosoves, ekipi mjeko ligjor i IML-së ka tërhequr mbetjet mortore (eshtrat) për ekzaminimet e mëtejme mjeko ligjore. Komisioni do t’iu njoftoj pas verifikimit dhe konstatimit nga IML, nëse të njejtat janë më interes forcenzik, dhe potencialisht mund t’u përkasin viktimave të listes së personave të zhdukur”- thuhet në njoftim.
Përmes një postimi në Facebook, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se 1595 persona janë ende të zhdukur.
Kurti ka thënë se ankthi i familjeve është i madh, andaj duhet bërë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre.
“Në këtë betejë, përballë e kemi një shtet gjenocidal, që e mohon të kaluarën. Por ne nuk do të heshtim, e as nuk do të ndalemi së thëni të vërtetën. Në muajt e fundit të vitit 2000 dhe përgjatë vitit 2001, në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo edhe Peruqac, janë nxjerrë 900 shqiptarë, pleq, gra e fëmijë. 744 në Batajnicë, 84 në Petrovo Selo dhe 72 në Peruqac”- ka thënë Kurti.
Sipas tij, në periudhën nga viti 2010 deri në 2021 në dy varreza të tjera masive janë nxjerrë edhe 61 shqiptarë të tjerë: 54 në Rudnicë edhe 7 në Kizhevak.