Gjenden gëzhojat e plumbave me të cilët ishin gjuajtur bjeshkatarët në Zubin Potok

Gjashtë gëzhoja të një arme e cila supozohet të jetë Kallashnikov, janë gjetur dhe konfiskuar në Zubin Potok. Konfiskimi i gëzhojave ndodhi një ditë pasi disa persona raportuan në polici se gjatë një organizimi për të ecur në male të kësaj komune, janë gjuajtur me armë zjarri.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka siguruar raportin e shikimit të vendit të ngjarjes, të bërë më 10 maj rreth orës 17:30.

Sipas raportit, thuhet se Njësitet Hetuese të Stacionit Policor në Zubin Potok bashkë me Njësitet Hetuese Rajonale të Departamentit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe me asistimin e Policisë së Prishtinës, kanë arritur që të intervistojnë 10 persona nga të cilët janë marrë deklarata për ngjarjen e cila kishte ndodhur.

Në raport thuhet se pasi njësitë dolën në vendin e ngjarjes, ku pretendohej të ketë ndodhur incidenti, janë gjetur gëzhoja të armës të cilat janë konfiskuar.

“Pas informimit të prokurorit të rastit së bashku me njërin nga udhëheqësit e grupit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes më saktësisht në fshatin Kopilovice, ku pas një kontrolli të hollësishëm të terrenit ata arritën të identifikojnë çka kishte ndodhur. Pas kontrollit të terrenit nga Njësia e Forenzikës e cila inspektoi vendin, u gjetën gjashtë gëzhoja të kalibrit 7.62×39 milimetra, të cilat u konfiskuan si provë materiale”, thuhet në raportin policor të datës 10 maj ku policia kishte shkuar pas orës 17:00 për të shikuar vendin e ngjarjes.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur më 9 maj, ndërsa raporti fillestar i Policisë së Kosovës tregonte për ankesat e bjeshkatarëve, por jo për veprimet policore të ndërmarra pas marrjes së informacionit.

Po atë ditë, kur kishte ndodhur incidenti, zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, për KALLXO.com kishte dhënë detajet e para.

“Rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëme të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjegu rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat do t’i japin në Prishtinë”, kishte thënë Hoti në ditën kur ndodhi incidenti.

Një ditë më vonë, më 10 maj, KALLXO.com kishte raportuar se policia nuk kishin dalë në vendin e ngjarjes ende, ani pse ishin marrë dëshmitë e ankuesve të cilët kishin qenë pjesë të incidentit.

Të dielën e javës së kaluar, bjeshkatarët nga klubi ‘Kosovo Mountain Club’, kishin njoftuar përmes Facebook se ishin mirë dhe se plumbat që u shkrepën, nuk kishin prekur asnjërin nga grupi.

“Të gjithë jemi mirë dhe të sigurt pas incidentit që ndodhi. Tani po vazhdojmë ecjen në Shalë të Bajgores. Ecja sot ka qenë e lajmëruar në institucionin përkatës. Ju faleminderit që treguat shqetësim dhe kujdes”, thuhet në postim.

Incidentin që ndodhi të dielën në Zubin Potok e kishte dënuar edhe Presidentja Vjosa Osmani por edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.