Foto: REL /EPA-EFE
Gjenden 28 emigrantë në dy lokacione në Kumanovë
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut informoi se sot herët në mëngjes, në aksione të ndara në fshatrat Vaksincë dhe Llojan të Kumanovës kanë gjetur 28 emigrantë nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani.
“Në orët e hershme të mëngjesit, Qendra Rajonale për Çështjet e Kufirit në Veri dhe oficerët e policisë nga Kumanova, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore Kumanovë, kanë kryer kontroll në dy shtëpi në fshatrat Lojane dhe Vaksincë për shkak të dyshimit për kontrabandimin e emigrantëve. Gjatë kontrollit në Vaksincë, u gjetën 10 emigrantë nga Bangladeshi dhe dy persona u arrestuan. Në fshatin Llojan gjatë kontrollit në shtëpinë e A.A. jashtë vendit, u gjetën gjithsej 18 emigrantë, 16 nga Pakistani, 2 nga Afganistani përfshirë katër të mitur. Një person u arrestua në lidhje me këtë rast”, tha Suzana Praniq Talevska.
Sipas saj, personat e ndaluar do të sillen para Gjykatës dhe emigrantët do të transferohen në qendrën e pritjes në Gjevgjeli./RTV21