Gjatë vizitës në SHBA, Lumir Abdixhiku u takua me Gabriel Escobarin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar me Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretar i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Abdixhiku këtë takim e ka realizuar në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi ai tha se ka shprehur shqetësimin e LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane.

“Z.Escobar i prezantuam dhe pikëpamjet tona mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat. Në frymën e diskutimit që pata sot në Departamentin e Shtetit, shpreh edhe një herë shqetësimin tim dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane” – shkroi Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngusht me SHBA-në dhe partnerët e tjerë.