Foto: Ilustrim

Gjatë muajve të pandemisë u zvogëlua numri i aksidenteve në Kosovë

Janë bërë rreth katër muaj që kur u shfaqën rastet e para me COVID-19 në Kosovë.

Për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marrë një varg masash për qytetarët e vendit.

Disa nga masat ishin kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, mbyllja e lokaleve, bizneseve, mbyllja e kufijve tokësor, anulimi i fluturimeve e shumë masa të tjera.

Me marrjen e këtyre masave, edhe qarkullimi i qytetarëve dhe veturave është zvogëluar duke zvogëluar kështu edhe numrin e aksidenteve të trafikut në vendin tonë.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve që nga muaji janar e deri në muajin maj, ku përfshihen edhe muajt kur vendi ynë është prekur nga virusi COVID-19, ka shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke arritur në total numri i aksidenteve 4 mijë e 468 aksidente trafiku.

Nga këto aksidente trafiku, 2 mijë e 821 prej tyre kanë qenë aksidente me dëme materiale, 3 mijë e 38 aksidente me persona të lënduar dhe 1 mijë e 623 me lëndime.

Në periudhën e njëjtë kohore në vitin e kaluar, policia ka bërë të ditur se kanë ndodhur 5 mijë e 217 aksidente trafiku, 749 aksidente më shumë sesa këtë vit.

Nga aksidentet e vitit të kaluar, 3 mijë e 264 aksidente kanë qenë me dëme materiale, 3 mijë e 568 me persona të lënduar dhe 1 mijë e 922 me lëndime.

Në muajt e parë të këtij viti krahasuar me muajt e parë të vitit të kaluar edhe numri i aksidenteve me fatalitet dhe personave që humbën jetën në këto aksidente është zvogëluar.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës që nga muaji janar e deri në muajin maj të këtij viti kanë ndodhur 24 aksidente me fatalitet ku kanë vdekur 26 persona.

Ndërsa, në periudhën e njëjte të vitit të kaluar kanë ndodhur gjithsej 31 aksidente trafiku me 37 persona të vdekur, ku sipas statistikave 11 persona më pak kanë vdekur këtë vit në aksidente trafiku gjatë të njëjtës periudhë kohore në krahasim me vitin e kaluar.

Duke pasur parasysh se gjatë muajve të pandemisë, qarkullimi i qytetarëve për shkak të kufizimit të lëvizjes ka qenë më i vogël, edhe numri i tiketave të shqiptuara për kundërvajtje të ndryshme nga ana e policisë ka shënuar rënie.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, që nga muaji janar deri në muajin maj të këtij viti janë shqiptuar gjithsej 135 mijë e 649 tiketa trafiku, për kundërvajtje të ndryshme.

Ndërsa në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar numri i tiketave ka qenë më i madh, duke arritur në 170 mijë e 300 tiketa për kundërvajtje të ndryshme.

Pra, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjatë këtyre muajve 34 mijë e 651 tiketa më pak se vitin e kaluar.

Gjatë muajve të pandemisë kur kanë qenë në fuqi masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19,  zyrtarët policor kanë punuar me orar të zgjatur nga 8 orë në 12 orë,  për shkak të menaxhimit të pandemisë COVID-19.