Enis Abdurrahmani, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në “Trepçë”

Gjatë kohës kur ishte U.D. kryeshef i ‘Trepça’ pretendohet se bëri shkelje, suspendohet nga puna Enis Abdurrahmani

Ish-ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv i Ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani është larguar përkohësisht suspenduar nga puna, me vendim të Ushtruesit aktual të Detyrës së Kryeshefit, Faton Ahmeti.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e ndërmarrjes ‘Trepça’ më 31.01.2025, në të cilin thuhet se Abdurrahmani sa ka qenë në postin e u.d kryeshefit e ka keqpërdorur pozitën, duke u emëruar Epror i Lartë i Skuadrave të shpërthimit dhe kompensuar kundërligjshëm për çdo muaj.

“Pasi duke u bazuar në Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Trepça Sh.A. për vitin 2023 z.E.A. duke keqpërdorur pozitën sa ka qenë ish-KE i ‘Trepça Sh.A’ është emëruar Epror i Lartë i skuadrave të shpëtimit dhe është kompensuar kundërligjshëm për çdo muaj”- thuhet në njoftim.

Gjithashtu siç potencohet në njoftim ish ushtrues i detyrës së kryeshefit i ka shkaktuar dëm financiar ndërmarrjes duke i vendosur shtesat në rrogën bazë.

“Sa ka qenë KE ka nxjerr vendimin me nr.prot: 2673 të datës 18.05.2023 në kundërshtim me Rregulloren për Sistematizimin e vendeve të punës në njësinë biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stantërg me nr.prot:2778 të datës 26.05.2023, ku në rregullore ceken paga bazë si dhe shtesat ndërsa i njëjti me këtë vendim shtesat i ka vendosur në pagën bazë, kështu i njëjti ka shkaktuar dëm financiar”- theksohet në njoftim.

KALLXO.com kontaktoi Enis Abdurrahmanin për të marrë një qëndrim mirëpo i njejti nuk ka kthyer përgjigje.

Në shtator të 2023-tës KALLXO.com raportoi se pas gati dy vitesh, si Ushtrues i Detyrës së Kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani është shkarkuar nga kjo pozitë.

Vendimin e kishte marr Bordi Mbikëqyrës i kësaj ndërmarrje vetëm pak minuta para se të shkarkohej nga ekzekutivi që drejtohet nga Albin Kurti.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministrja e Ekonomisë, kishte propozuar shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, propozim i cili mori votat e kabinetit qeveritar.

Në anën tjetër, në mbledhjen që nisi në ora 10:00, Bordi Mbikëqyrës në krye me Bahri Hysenin pas shqyrtimit të raporteve të prodhimit, financiare e të shitjes, vendosi që të shkarkoi Abudurrahamanin.

Në vend të tij, Bordi emëroi U.D kryeshef, Enis Muzaqin.

“Për shkak te mos përmbushjes se detyrave te punës, neglizhencës dhe keq menaxhimit Bordi Mbikëqyrës i “Trepça”, Sh. A. vendosi njëzëri te shkarkoje nga detyra e U.D. Kryeshefit të “Trepça”, Sh. A. z. Enis Abdurrahmani” – thuhej në njoftim.

KALLXO.com kishte raportuar edhe se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se ndërmarrja publike “Trepça” gjatë vitit 2023 ka paguar pensione të parakohshme për 288 punëtorë, pa bazë ligjore.

Sipas raportit të ZKA-së, “Trepça” kishte realizuar pagesa në emër të pensioneve të parakohshme, për mesatarisht 288 persona në vlerë totale 70 mijë e 550 euro, duke u bazuar në një vendim të menaxhmentit të vitit 2006.

Tutje, sipas ZKA-së, rreth 240 prej tyre që kanë marrë pensione nga ndërmarrja, kanë marrë pension mujor të parakohshëm edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që bordi mbikëqyrës të sigurojë veprime konkrete pë të trajtuar çështjen e kompensimeve. Me këtë të gjetur të ZKA-së menaxhmenti i “Trepça” është pajtuar.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për ndërmarrjen publike “Trepça” mund ta gjeni KËTU.