Gjatë janarit eksporti i mallrave ra për 3.2% në krahasim me janarin e vitit 2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2023.

Eksporti i mallrave të Kosovës në muajin janar 2023 kishte vlerën 62.1 milionë euro.

Sipas ASK-së, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, eksporti i mallrave në muajin janar të këtij viti është një rënie prej -3.2 përqind.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së gjatë këtij muaji patën rënie prej -24.1 dhe partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11.6%), Italia (4.6%), Holanda (3.7%), etj.

Ndërsa, në muajin janar 2023, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 25.9 milionë euro, ose 41.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 65.9%.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (19.2%), Shqipëria (10.2%), Mali i Zi (6.1%), dhe Serbia (5.1%)”- thuhet në të dhënat për eksportin.

Në botë, partnerët më të rëndësishëm të Kosovës për eksport gjatë janarit ishin Zvicra (9.5%), dhe SHBA (8.1%).

Për eksport 25.6%e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10.4% e përbëjnë produktet minerale; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.8% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tekstili; 4.4% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Nga cilat vende importoi dhe eksportoi më së shumti Kosova në janar?