Gjashtë të arrestuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal dhe për narkotik 

Prokuroria Speciale e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprën penale të narkotikëve.

Sipas njoftimit të bërë nga Prokuroria Speciale të arrestuarit janë SH.K., A.K., G.H., N. J., K.M. dhe A. M.

“Personat e arrestuar janë SH.K., A.K., G.H., N. J., K.M. dhe A. M. dhe për të njëjtit Prokuroria Speciale ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me tutje me masat tjera procedurale”- thotë njoftimi i Prokurorisë Speciale.

Gjithnjë sipas njoftimit kontrollet kanë ndodhur në rajonin e Prizrenit, pasi ishte bërë një hetim disa mujor.

“Gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjashtë persona mbi bazën e dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’, nga neni 277 par. 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale ‘Blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 275 par. 1 nën par. 1.9 të KPRK-së”- theksohet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.