Gjashtë të arrestuar në Rajonin e Prishtinës për organizim të prostitucionit - FOTO

Në dy raste të ndara, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës ka arrestuar gjashtë persona: pesë gra dhe një burrë, nën dyshimet për organizim prostitucioni.

Në rastin e parë, Policia arrestoi dy gra nën dyshimin se kishin marrë një objekt banesor me qira, me qëllim të shfrytëzimit për veprën “mundësim ose detyrim në prostitucion”.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë, pas dyshimeve për kryrje të veprës penale ‘mundësim ose detyrim në prostitucion’ kanë arrestuar dy femra shtetase të Republikës së Kosovës, pasi dyshohet se të njëjtat kishin marrë një objekt banesor me qira, me qëllim të shfrytëzimit për kryrjen e kësaj vepre.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin dy të dyshuarat, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Derisa, në rastin e dytë Policia njofton se arrestoi katër persona – tri shtetase të Shqipërisë dhe një shtetas të Kosovës, nën dyshimin se në dy lokale ofruan shërbime seksuale me pagesë.

“Policia e Kosovës, respektivisht DHTNJ, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore – Prishtinë, pas dyshimeve për kryrjen e veprës penale “mundësim ose detyrim në prostitucion” dhe “ofrim i lokaleve për prostitucion” kanë arrestuar katër persona (tri femra shtetase të Republikës së Shqipërisë dhe një mashkull kosovar), nën dyshimin se të njëjtit në dy lokale në Rajonin e Prishtinës dyshohet se kanë ofruar shërbime seksuale me pagesë.” – bëhet e ditur më tej nga Policia.

Sipas njoftimit, të gjithë të dyshuarit, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.