Foto: REL/Reuters

Gjashtë raste të mashtrimit me para në internet në Prizren, Policia apelon te qytetarët për kujdes

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka ngritur shqetësimin pasi sipas tyre ka një rritje të numrit të mashtrimeve të kryera përmes internetit, duke njoftuar se kanë pranuar gjashtë raportime në të cilat qytetarët janë mashtruar me shuma të konsiderueshme të parave. 

Policia njofton se janë duke u marrë të gjitha masat për parandalimin e rasteve të ngjashme dhe identifikimin, kapjen e autorëve për rastet e ndodhura.

Si rrjedhojë, Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në ekspozimin e të dhënave bankare në jetën e përditshme apo në internet.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Prizren bënë apel tek qytetarët, subjektet afariste të bëjnë kujdes  sa i përket ekspozimit të dhënave të tyre personale e bankare në mjediset e jetës së përditshme, por edhe kur merrni kërkesa të ndryshme gjatë periudhës që ndodheni duke kërkuar në internet të mos bini pre nga mashtrime të ndryshme të cilët kanë qëllim vjedhjen apo manipulimin e fondeve tuaja nga llogari bankare dhe formave të tjera” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 23.09.2024.

Tutje, Policia ka treguar në rast se qytetarët kanë kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare, ata duhet të veprojnë duke verifikuar paraprakisht me mjete tjera komunikimi nëse llogaria bankare i përket personit të cilit i adresohen paratë.

“Po ashtu duhet të bëni kujdes edhe gjatë dhënies së kodeve të hyrjes për llogaritë e juaja të rrjeteve sociale, postës elektronike si dhe çdo program tjetër i cili mundëson hyrjen nëpërmjet kodeve të sigurisë” – kanë shtuar nga Policia.

Si përfundim, Policia kërkon që të mos neglizhohet asnjë rast i dyshuar apo evidentuar nga ana e qytetarëve, duke u drejtuar në mënyrë të menjëhershme në Policinë e Kosovës.