Gjashtë raste të dhunës në familje raportohen gjatë 24 orëve

Përderisa në Kosovë po shënohen “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”- brenda 24 orëve janë raportuar në Polici gjashtë raste të dhunës në familje.

Në bazë të raportimeve në organet e rendit, në të gjitha këto raste viktimat janë gra.

Rastet kanë ndodhur në Podujevë, Prishtinë, Drenas dhe tri në Pejë.

Në Podujevë, në orën 02:00, më 28.11.2024, është arrestuar një i dyshuar pasi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimave femra kosovare, njofton Policia.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

Në të njëjtën ditë, rreth orës 10:15 në Prishtinë një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga një burrë.

Policia ka njoftuar se nga ky rast nuk ka të lënduar. Ndërsa me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Në rastin tjetër që ka ndodhur në po të njëjtën ditë në Drenas në orën 15:00, sipas Policisë, si pasojë e lëndimeve një grua ka pranuar tretman mjekësor.

Në lidhje me këtë rast është arrestuar i dyshuari, që sipas Policisë, pas një mosmarrëveshje kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, shkruan në raportin 24-orësh.

Tri rastet tjera të dhunës në familje kanë ndodhur në Pejë.

Njëri rast ka ndodhur rreth ors 22:58 më 27.11.2024. Policia e ka arrestuar të dyshuarin pasi që i njëjti ka shqetësuar viktimën.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- shkruan Policia.

Rasti tjetër ka ndodhur rreth orës 16:00, ku është arrestuar i dyshuari që kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën- grua. 

Policia ka njoftuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër ka ndodhur në Pejë rreth orës 09:00 më 28.11.2024, për të cilin viktima ka raportuar se ka presion nga familjarët e saj. 

Policia ka bërë të ditur se është njoftuar prokurori dhe se rasti është nën hetime.

Dhuna në familje në baza gjinore vazhdon të mbetet një nga problemet kyçe që ka shoqëria në Kosovë.

Sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë mbi 2,000 raste të dhunës në familje raportohen çdo vit. Viktimat kryesisht janë të gjinisë femërore.

Vetëm gjatë vitit 2023, 286 gra dhe 335 fëmijë u strehuan në shtëpi të sigurta në gjithë vendin, teksa për vitin aktual të dhënat nuk janë ende të ditura.