Gjashtë raste të dhunës në familje në Kosovë në 24 orët e fundit

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet raportohet të kenë ndodhur në Prishtinë, Ranilluk, Prizren, Pejë, Klinë dhe Istog.

Në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se për motive të pa njohura ka rrahur bashkëshorten e tij e cila gjendej tek prindërit e saj.

Sipas Policisë, palëve ju është ofruar trajtim mjekësorë.

Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Një grua në Ranilluk ka raportuar në Policinë e Kosovës se është fyer nga kunati i saj me të cilin i kanë shtëpitë në të njëjtin oborr.

Në raportin policor bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar dhe më pas me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Prizren, ku forcat e rendit kanë arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij.

Si pasojë, tretman mjekësor kanë pranuar dy gra, anëtare të familjes.

Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje dhe rasti është në proces hetimor.

Ndërkaq në Pejë një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Një person në Klinë është arrestuar pasi fillimisht kishte demoluar orenditë shtëpiake dhe më pas kishte sulmuar fizikisht anëtarët e familjes së tij.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Istog, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se ka kanosur nënën e tij.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe rasti është nën hetime.