Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjashtë raste të dhunës në familje kanë ndodhur në Kosovë në 24 orët e fundit.

Sipas Policisë, tri nga këto raste kanë ndodhur në Prishtinë, një në Ferizaj, një në Klinë dhe një në Gjakovë.

Sa i përket kryeqytetit, për rastet e dhunës janë arrestuar tre persona, dy burra e një grua të cilët janë dërguar në mbajtje.

Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur dje, rreth orës 01:01, ku burri dyshohet se ka ushtruar dhune fizike ndaj bashkëshortes se tij.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti ka ushtruar dhune fizike ndaj bashkëshortes se tij viktimës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim te prokurorit dërgohet në mbajtje” – thuhet në njoftim.

Rasti i dytë në Prishtinë ka ndodhur dje rreth orës 15:00. Në këtë rast një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht familjarët e saj.

“Është arrestuar e dyshuara pasi e njëjta kishte sulmuar fizikisht familjarët e saj. Si pasojë e sulmit viktimat kanë pësuar lëndime trupore për çka dhe u është ofruar tretman mjekësorë. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje” – ka thënë Policia.

Rasti i tretë në kryeqytet është thënë se në ka ndodhur dje rreth orës 18:55. Sipas Policisë, në këtë rast është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se kishte kanosur familjarët e tij si dhe kishte demoluar orenditë shtëpiake.

“Është arrestuar i dyshuari pasi i njëjti në gjendje të dehur kishte kanosur familjarët e tij si dhe kishte demoluar orenditë shtëpiake. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” – ka thënë Policia.

Rasti katërt për të cilin ka njoftuar Policia është thënë se ka ndodhur në Ferizaj, më 1 tetor 2022, rreth orës 10:00.

I arrestuari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes se tij.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes se tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim te prokurorit dërgohet ne mbajtje” – ka thënë Policia.

Në anën tjetër, edhe në Klinë është arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

Rasti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 21:10.

“Është arrestuar i dyshuari pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Polica ka thënë se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar 34-fishekë të armës së zjarrit, për çka është hapur rast i veçantë.

Tutje u tha se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i fundit u raportua të ketë ndodhur në Gjakovë, dje rreth orës 23:35.

Sipas Policisë, i dyshuari në gjendje të dehur, 1.70 promila, kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Policia ka thënë se ai me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.