Gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet janë regjistruar në Prishtinë, Lipjan, Obiliq, Prizren, Pejë dhe Vushtrri.

Në Prishtinë një grua ka raportuar se përmes telefonit ka pranuar mesazh nga ish bashkëshorti i saj ku është kanosur dhe ofenduar verbalisht.

Sipas Policisë, viktima ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari nuk është hasur nga policia.

Rasti është duke u hetuar, ka njoftuar PK.

Një grua në Lipjan ka pranuar tretman mjekësor, pasi që njëjta pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:55.

Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon procedurë të rregullt, ka njoftuar PK.

Në Obiliq një burrë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është kanosur dhe sulmuar verbalisht nga bashkëshortja e tij dhe vëllai i saj.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:02.

Sipas Policisë palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Prizren një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj resë së tij (bashkëshortes së djalit).

Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:00 dhe me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Pejë, dje një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Të njëjtit me vendim të prokurorit, i është sekuestruar një armë gjuetisë (me leje përkatëse) për shkaqe sigurie dhe është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar PK.

Në Vushtrri, Policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin se i njëjti në vazhdimësi ushtron dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 03:40, dhe sipas Policisë viktimës iu është ofruar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit,  është dërguar në mbajtje.