Gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet janë raportuar në Viti, Skenderaj, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Prizren.

Në Viti, Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se kishte rrahur vëllanë e tij, pas një mosmarrëveshje rreth një prone.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësorë.

Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt, thuhet në raportin policor.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 12:30.

Një grua në Skenderaj ka raportuar në Policinë e Kosovës se dyshohet që bashkëshorti i saj nën ndikimin e  alkoolit ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj, ndërsa ka rrahur fëmijët e tyre.

Policia njofton se dy nga fëmijët kanë pranuar tretman mjekësorë.

Sipas Policisë, viktima së bashku me tre fëmijët është dërguar në strehimore, ndërkaq i dyshuari me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 18:50.

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një burrë në Prishtinë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij.

Sipas raportit policor, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta është dërguar në strehimore.

I dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 18:30.

Një grua në Fushë Kosovë, ka raportuar në Polici se pas një mosmarrëveshje në familje, dyshohet se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Sipas njoftimit të Policisë, palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 19:00.

Në Obiliq, Policia e Kosovës njofton se një person ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje dyshohet të jetë rrahur nga babai i tij.

Policia raporton se palët janë intervistuar dhe i dyshuari  është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Një grua në Prizren ka raportuar në Polici se ish bashkëshorti i saj me të cilin është në proces gjyqësor për ndarje, dyshohet të ketë shkuar tek shtëpia e saj duke goditur derën e hyrjes së shtëpisë.

Sipas Policisë, i dyshuari ka kanosur me jetë viktimën dhe më pas është larguar.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit,  rasti shkon në procedurë të rregullt.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 23:45.