
Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com
Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve
Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Këto raste janë regjistruar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Pejë dhe Malishevë.
Më 09.01.2025, një burrë është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psiqike dhe ka kanosur një grua. Sipas Policisë, i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në të njëjtën ditë, është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje në Fushë Kosovë. Sipas Raportit të Policisë së Kosovës, një burrë dyshohet se vazhdimisht kishte shqetësuar një grua.
“Lidhur me rastin i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin Policor, më 10.01.2025.
Ndërkaq në Podujevë raportohet se një burrë ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje, më 09.01.2025. Organet e rendit kanë treguar se viktima është kthyer në shtëpinë e familjarëve të saj, derisa i dyshuari është ende në arrati.
Në një qytet tjetër të Kosovës, në Gjilan një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi një burrë dyshohet se e sulmoi atë fizikisht. Policia tregon se i dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti i inicuar si ‘lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘dhunë në familje’ ka ndodhur më 07.01.2025.
Në Pejë është regjistruar një rast kur një grua ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër. Në këtë rast Policia e Kosovës njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor. Sipas Policisë, e dyshuara është në arrati.
Policia njofton edhe për një rast tjetër të dhunës në familje në Malishevë. Raportohet se pas një përleshjeje mes dy burrave, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore.
“Ndërsa i dyshuari mashkull kosovar pas rastit ishte larguar nga shtëpia dhe nuk është hasur nga Policia.” – njofton Polica e Kosovës në Raportin e datës 10.01.2025.