Gjashtë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.

Tri prej rasteve raportohet të kenë ndodhur në kryeqytet teksa dy raste të tjera në Gjakovë dhe një në Ferizaj.

Në rastin e parë në Prishtinë, viktima raportohet të jetë një grua e cila është sulmuar fizikisht nga vajza e saj. Ndërkaq, në rastin e dytë viktima raportohet të jenë të dy prindërit, ndaj të cilëve është ushtruar dhunë nga djali i tyre.

“Sipas viktimave, i dyshuari është përdorues i substancave narkotike” thuhet në njoftimin e policisë.

Në rastin e tretë PK-ja ka bërë të ditur se është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht vëllaun e tij duke i shkaktuar atij lëndime.

“Viktima pas tretmanit mjekësor në QKUK është liruar” thuhet në njoftimin e policisë, nga i cili poashtu ka bërë të ditur se në të tre rastet të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Në dy rastet e tjera në Gjakovë, vitkima raportohen të kenë qenë bashkëshortet ndaj së cilave është ushtruar dhunë nga burrat e tyre.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” thuhet në njoftim lidhur me rastin e parë gjerësa për rastin e dytë raporti i policisë ka bërë të ditur se “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Lidhur me rastin në Ferizaj, PK-ja ka njoftuar se është arrestuar një burrë pasi raportohet të këtë ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” thuhet në njoftim. KALLXO.com ka raportuar sot për këtë rast.