Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar gjashtë persona, në gjashtë raste të ndara për dhunë në familje në disa qytete të Kosovës.

Një person është arrestuar në Graqanicë pasi i njëjti dyshohet se kishte rrahur viktimën grua. Si pasojë e dhunës, gruaja kishte pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Gjilan, forcat e rendit kanë arrestuar një burrë për shkak se gjatë qëndrimit në shtëpi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, grua duke i shkaktuar lëndime trupore. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një burrë në Suharekë pasi që në shtëpinë e tij dyshohet se ka rrahur dy gra. Si pasojë e dhunës viktimat kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Edhe në Prizren, Policia ka arrestuar një të dyshuar pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, grua dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

Në Gjakovë, forcat policore kanë arrestuar një grua pasi që kishte kanosur viktimën, burrë dje rreth orëve të mesditës. Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar dhe në konsultim me të pas intervistimit e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicë pasi që një grua ka denoncuar atë për dhunë psikike dhe fizike ndaj saj. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar 50.9 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.