Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Gjashtë persona të arrestuar për dhunë në familje në 24 orët e fundit

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës.

Rastet janë regjistruar në Fushë Kosovë, Prishtinë, Prizren, Pejë, Malishevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Lidhur me këto raste Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë burra të dyshuar për dhunë në familje.

Në Fushë Kosovë një burrë është arrestuar në dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Sipas Policisë, i njëjti dyshohet se ishte në gjendje të dehur dhe pasi i është bërë matja e alkoolit ka rezultuar 1.46 promila.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ka njoftuar PK.

Në Prishtinë një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzave të tij.

Sipas Policisë rasti ka ndodhur dje dhe viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një burrë në Prizren dyshohet se mbrëmë ka tentuar ta fus në makinë me dhunë vajzën e tij dhe e ka kërcënuar me fjalë.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 15:30 dhe sipas Policisë nuk raportohet për të lënduar.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në Malishevë një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:45 dhe viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Mitrovicë të Veriut një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar ish bashkëshorten e tij.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00.

Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, thuhet në raportin e Policisë.