Policia e Serbisë, ilustrim: Pixabay

Gjashtë persona, përfshirë 4 fëmijë, vdesin nga zjarri në Novi Sad

Gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë, humbën jetën nga zjarri që shpërtheu në lagjen Salajka në Novi Sad të Serbisë, natën e shkuar, bëri të ditur ministri i Brendshëm i këtij vendi, Ivica Daçiq.

“Supozohet se ata ishin anëtarë të familjes që jetonte në atë adresë”, tha Daçiq, duke shtuar se fëmijët që vdiqën, ishin nga dy deri në shtatë vjeç.

Pjesëtarët e Administratës për Situata Emergjente të Serbisë dhe zjarrfikësit shuan zjarrin, ndërsa policia dhe prokurori publik nisën hetimet në vendin e ngjarjes.

Siç tha Daçiq, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një skuter që ishte i lidhur me rrjetin elektrik.

“Trupat e viktimave janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa pjesëtarët e MPB-së po punojnë në mënyrë intensive për zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike”, tha Daçiq./REL