Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjashtë parti kanë aplikuar për certifikim për zgjedhje në veri, ndër to edhe PDK e LVV

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar gjashtë kërkesa për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se subjektet që kanë aplikuar janë Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Kosovskih Serbia, Iniciativa Qytetare Sprski dhe një kandidat i pavarur.

Nga 15 nëntori deri më 25 nëntor 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 6 kërkesa për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Iniciativa Qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, Partia Kosovskih Srba ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit, Një kandidat i pavarur, Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut” – tha Elezi.

Më tej, ai u shpreh se të hënën do të bëhet edhe certifikimi i kandidatëve për kryetar të këtyre komunave, pas verifikimit se të njëjtit i kanë plotësuar të gjitha kushtet për kandidim.

Pas pranimit të aplikacioneve, me qëllim të verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ-ja do t’i drejtohet disa institucioneve të ndryshme, në këtë rast Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrisë së Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Jashtme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë si dhe Doganës së Kosovës.

“Neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme tregon se kush mund të jetë kandidat i certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, përveç disa rasteve, pra: nëse është gjykatës apo prokuror; pjestar i FSK-së, doganës, i AKI-së, përfaqësues diplomatik apo pjestar i PZAP-it. Gjithashtu, KQZ-ja do të komukikojë edhe më Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, apo me vendim të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat” – shtoi ai.