Gjashtë pacientë më COVID-19 po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës

 

Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri”- Mitrovicë, janë duke u trajtuar gjithsejtë gjashtë pacientë të konfirmuar me COVID-19.

Katër prej të prekurve janë të shtrirë në repartin e Pulmologjisë ndërsa dy të tjerë në Infektivë.

Zëdhënësja e këtij spitali Nita Mustafa ka bërë të ditur për Kallxo se gjendja e të gjithë pacientëve është stabile.

Katër pacientë të cilët janë të shtrirë në pulmologji janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

Përveç këtyre pacientëve edhe shtatë pacientë të tjerë, pesë në pulmologji dhe dy në infektivë janë në pritje të rezultatit pas testimeve që iu janë bërë COVID-19.

Kurse lidhur me kapacitete e spitalit të përgjithshëm të Mitrovicës për trajtimin e pacientëve pas rritjes së numrit të të prekurve më virus edhe në komunën e Mitrovicës, zëdhënësja e këtij spitali ka bërë të ditur për Kallxo se në reparte të ndryshme të spitalit kanë gjithsej 62 shtretër ( 24 interno, dermatologji 10 dhe neurologji 12 ).

Ndërsa në pulmologji e cila ka qenë me dhjetë shtretër e ku të shtrirë janë nëntë pacientë ka mbetur vetëm një shtrat kurse në infektivë ku të shtrirë janë katër pacientë ka mbetur vend vetëm edhe për dy pacientë, pasi gjithsej aty janë gjashtë shtretër, ka sqaruar Mustafa.

COVID-19 ka prekur edhe një pjesë të stafit në këtë spital, pesë mjekë të cilët janë në vetizolim dhe dhjetë infermierë kanë rezultuar pozitiv.

Stafi i repartit të pediatrisë më i prekuri sa i përket stafit ku gjashtë infermierë dhe katër mjekë janë të pediatrisë.

Aktualisht në komunën e Mitrovicës me COVID-19 janë aktivë 121 raste.

Përmes vendimit të marrë dje Qeveria e Kosovës ka kufizuar lëvizjen e qytetarëve edhe në katër komuna tjera: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Shtërpcë dhe Fushë-Kosovë.

Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarëve të këtyre komunave u ndalohet të dalin pa arsye pas orës 21:00  e deri në 5:00 në mëngjes.