Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Gjashtë muaj burgim, pasi sulmoi biletashitësin e teatrit për dy bileta

Dënohet me gjashtë muaj burgim i pandehuri H. M., pasi që i njëjti më 22 tetor të 2019-ës kishte sulmuar fizikisht një zyrtarë në Tetarin e Qytetit të Ferizajt.

“Gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 180 ditëve”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Sipas këtij aktgjykimi i pandehuri kishte shkuar në teatër për t’i blerë dy bileta për të shikuar një shfaqje.

Bileta-shitësi ia kishte dhënë këto dy bileta për të qëndruar në këmbë dhe i pandehuri, i pakënaqur me biletat kishte filluar që ta fyente bileta-shitësin.

Në atë moment, zyrtari i dëmtuar kishte ndërhyrë që ta qetësonte situatën dhe sipas aktgjykimit, i pandehuri me dashje e ka sulmuar fizikisht viktimën.

“E ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grusht në fytyrë, faqe dhe veshin e anës së majtë si pasojë e goditjeve i dëmtuari ka pësuar lëndim të lehtë trupor me pasoja të përkohshme për shëndetin”, thuhet tutje.

Gjykata ka njoftuar se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar dhe se ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.