Bujanoci. Foto: Flickr

Gjashtë mjekë shqiptarë punësohen në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi ka bërë të ditur se gjashtë mjekë shqiptarë nga komuna e Bujanocit, sot zyrtarisht kanë marrë vendimet e punës në kohë të pacaktuar në Shtëpinë e Shëndetit në këtë komunë.

Sipas tij kjo është bërë si realizim i programit të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, për punësimin e kuadrove mjekësore për t’a avancuar “luftën ndaj COVID-19”.

Kamberi këtë e ka quajtur sukses të jashtëzakonshëm për shqiptarët në atë zonë.

“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm, duke patur faktin se me vite të tëra një numër i mjekëve shqiptarë nuk është arritë të punësohen përnjëherë”, ka shkruar ai në Facebook.

Megjithatë, ai ka shtuar se kërkesa e Komunës së Bujanocit ishte shtruar në dy takime të realizuara me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të coronavirusit.

Kryetari i Bujanocit ka bërë publik edhe emrat e mjekëve shqiptar të punësuar zyrtarisht, duke shtuar se në kuadër të të njëjtit program, janë punësuar edhe katër mjekë të komunitetit serb.

Gjashtë mjekë shqiptarë nga Komuna e Bujanocit, sot edhe zyrtarisht kanë marrë vendimet e punës në kohë të pacaktuar në…

Publiée par Shaip Kamberi sur Mercredi 27 mai 2020