Ilustrim

Gjashtë gra raportohen viktima të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Gjashtë gra dyshohet të jenë viktima të dhunës në familje në 24 orët e fundit, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Rastet janë raportuar në qytete të ndryshme në vend. Një rast është regjistruar në Prishtinë, një në Obiliq, dy raste në Gjakovë, një në Vushtrri dhe një tjetër në Ferizaj.

Në Prishtinë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur ë hënën, ndërsa viktima ka pranuar tretman mjekësor. Policia ka njoftuar se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Obiliq një grua ka raportuar në Polici kunatin e saj, pasi i njëjti dyshohet që e kishte sulmuar fizikisht.

Rasti ka ndodhur të të hënën dhe sipas Policisë, pas intervistimit të palëve, i dyshuari me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Një grua në Ferizaj dje ka lajmëruar në Polici bashkëshortin e saj i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht.

Sipas Policisë viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajte.

Në Gjakovë janë raportuar dy raste të dhunës në familje. Një burrë është arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht nënën e tij. Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme.

Pas intervistimit i dyshuari me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet.

Një burrë tjetër është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin se pak ditë më parë kishte keqtrajtuar të dashurën e tij, me nënshtetësi gjermane.

I dyshuari është arrestuar dje dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në Vushtrri një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga djali i saj.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmë dhe pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullte.