Gjaku i Zhitisë, Rrahmanit dhe vëllezërve Fazliu, pragu i krenarisë kombëtare

 

Afrim Zhitia, Agron Rrahmani, Fahri Fazliu dhe Bahri Fazliu janë përkujtuar sot në një akademi përkujtimore, e cila u mbajt me rastin e rivarrimit të katër heronjve.

Aty, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha asgjë nuk do të mund të njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë theksoi se Kosova është në rrugë të drejtë për realizimin e objektivave që ka, atë të forcimit të shtetit dhe bashkimit kombëtar.

Në akademinë përkujtimore për katër heronjtë, u tha se ata ishin veprimtarë të shquar, të angazhuar që në rini kundër okupimit dhe u vlerësuan si lajmëtarë të lirisë. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se tani e përgjithmonë eshtrat e tyre do të pushojnë pranë njëri tjetrit dhe pranë simbolit të kombit, babait të Pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçi.

“Asnjë tendencë, as përpjekje ngado që vinë nuk arrijnë ta njollosin luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në radhë të saj luftuan dhe sakrifikuan djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më të mirë të kombit. Sot Kosova ka të gjitha kategoritë e dala nga lufta që i trajton dhe do t’i trajtojë më dinjitet, familjet e dëshmoreve, invalidët e luftës së UÇK-së dhe të rënët, janë krenaria jonë. 20 vjet pas luftës, Kosova ka shënuar të arritura të mëdha, por Kosova ka sfida të forcimit të shtetësisë së saj, por një gjë është e siguritë që jemi në rrugë të drejtë që të realizojmë objektivat tona, atë të forcimit të shtetit dhe në një të ardhme edhe të bashkimit kombëtar”, tha Thaçi.

Ai shtoi se ata shkrinë gjithë energjinë fizike, mendore, intelektuale për çështjen kombëtare.

E kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se sot kur në tavolinat anti-Kosovë po vizatohen harta të reja anti-shqiptare, mesazhi i heronjve duhet të jetë synim për ta dhe t’i mbajë zgjuar në mbrojtje të lirisë.

“Luftëtarët e lirisë janë këtu të bashkuar që mesazhin tyre të jetë synimi ynë, që të na mbajë të zgjuar në mbrojtje të lirisë sonë, sot kur në tavolinat anti-Kosovë po vizatohen harta të reja, harta anti-shqiptare dhe rrënuese të paqes. Gjaku i Afrimit, Fahriut, Bahriut, Agronit, është pragu i sipërm i krenarisë sonë kombëtare, i vlerësimeve më të larta i cili nuk shkelet as sot, as kurrë. Kosova për të cilën ata luftuan i përket botës të cilës i prinë Amerika, kurse brezi i sotëm që sot ka aq vjet sa ata kur ranë, është përkrah ushtrive të NATO-s. Pushoni të qetë heronj, Ushtria e Kosovës është në roje e pragut të lirisë”, tha Haradinaj.

Në këtë akademi, presidenti ka ndarë urdhrin e lirisë për familjet e katër heronjve. Ndërsa në emër të familjes ka folur Fadil Fazliu.

“Sot po bashkojmë, po rivarrosim me përcjellje ushtarake nga ushtria e Kosovës që e mundësoi kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj. Sa do të ishin gëzuar prindërit po të ishin gjallë sot, për rivarrimin e djemve të tyre. Jemi shumë të emocionuar por shumë krenar për ta”, tha ai. Pas akademisë, nën përkujdesje të Qeverisë së Kosovës, është nisur kortezhi për në varrezat e dëshmoreve në Velani, ku të rivarrosen katër heronjtë./RTV21