Ilustrim

Gjakovë, xhaxhai i dy viktimave rrëfen si ndodhi tragjedia, ku vdiqën dy nipërit e tij

Bashkim Sadriaj, xhaxhai i dy fëmijëve që mbetën të vdekur si pasojë e një zjarri që ka kapluar një shtëpi në fshatin Ujz të Gjakovës, ka deklaruar se fëmijët kanë qenë në gjumë dhe se ka qenë e pamundur që të afrohet dikush për t’i shpëtuar.

Sadriaj rrëfen se bashkë me fëmijët kanë qenë edhe tre persona të tjerë, dy prej të cilëve kanë dalë vetëm pak para se të shpërthente zjarri.

Ai thotë se dyshojnë se shkaktar mund të ketë qenë energjia elektrike.

“Fëmijët kanë qenë në gjumë. Kanë qenë në shtëpi edhe tre të tjerë, ka qenë edhe baba. Baba u çu, djali tjetër. Këtu veç rryma, s’ka pasë çka tjetër. Zjarrfikësit kanë ardhë, prej Gjakove. Nuk mundem me thanë që janë vonu. S’kemi pasë shans as me hy dikush prej neve me i shpëtu… Zjarri ka shpërthy me të madhe, s’ka pasë ma shumë se pesë minuta. Nuk i kemi dëgju as fëmijët”, u shpreh ai në një prononcim për media.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Nusret Xhurkaj.