Gjykata e Gjakovës, FOTO-KALLXO.com

Gjakovë, vajza e kërcënon nënën pasi ia hodhi drogën në tualet

Gjykata themelore në Gjakovë ka dënuar me gjashtë muaj burg me kusht,  A.S. pasi e njëjta kishte kanosur  me thikë nënën e saj.

A.S. më 12 shtator të këtij viti kishte kërcënuar me fjalë dhe vepra nënën R.S. pasi ajo ia kishte marrë substancat narkotike dhe ia kishte hedhur në tualet ato. Vajza e cila është me vendbanim të përkohshëm në Çeki, më pas ishte bërë agresive dhe kishte filluar të lëndoj veten dhe nënën me thikë.

Gjykata ka obliguar që e akuzuara t’i nënshtrohet trajtimit të detyrueshëm psikiatrik për aq sa ka nevojë, në momentin që aktgjykimi i bëhet i plotfuqishëm.

Në aktgjykim thuhet se dënimi prej gjashtë muajsh me kusht nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara brenda kohës së verifikimit në afatin prej një viti, nuk do të kryej vepër tjetër penale, në të kundërtën dënim me kusht do t’i revokohet me dënim me burgim.